(S’) Po rrëzohet Qeveria?

Lajm

Neni 100 i Kushtetutës së Kosovës rregullon mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë. Procedura e mocionit të mosbesimit mund të iniciohet me propozimin e një të tretës të të gjithë deputetëve të Kuvendit ose kur mocion votëbesimi kërkon vetë kryeministri. E nëse Qeveria rrëzohet me mocion mosbesimi, atëherë data e zgjedhjeve caktohet jo më vonë se 10 ditë pas shpërbërjes së Kuvendit; zgjedhjet nuk mund të mbahen më herët se 30 nga dita kur është shpërbërë Kuvendi e jo më vonë se 45 ditë nga dita e shpërbërjes së Kuvendit.

Çështja e zgjedhjeve përcaktohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, respektivisht me nenin 45, ku janë të vendosura parimet e përgjithshme të së drejtës zgjedhore dhe pjesëmarrjes. Shpallja e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës është e rregulluar në nenin 84, paragrafi 3 ku shprehimisht thuhet se presidenti i Kosovës shpall zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe thërret mbledhjen e parë të tij.

Kurse sa i takon zgjedhjeve të parakohshme që janë bërë temë edhe e debatit politik, këto ditë kjo është rregulluar në nenin 66, paragrafi 2 i Kushtetutës dhe në nenin 4, paragrafi i Ligjit për zgjedhjet, e ku thuhet se këto zgjedhje mbahen pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës dhe po ashtu thuhet se zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Presidenti më së voni 10 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës. Po ashtu, thuhet se zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se 30 ditë dhe më së voni 45 ditë nga dita kur është shpërndarë Kuvendi. Zgjedhjet e parakohshme mbahen në bazë të ligjeve dhe rregullave të njëjta të KQZ-së, sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveç faktit që KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore sipas nevojës në pajtim me rrethanat.

Edhe pse ky vit është vit në të cilin duhet të mbahen edhe zgjedhjet e rregullta, megjithatë nëse mbahen zgjedhjet e parakohshme atëherë duhet të respektohen edhe procedurat që parashihen me Kushtetutë dhe me Ligjin për Zgjedhjet, ku në rastin kur ka zgjedhje të parakohshme në nenin 82 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës rregullohet edhe shpërndarja e Kuvendit të Kosovës, ku thuhet se Kuvendi i Kosovës mund të shpërbëhet: Nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e caktimit të mandatarit të qeverisë nga Presidenti i Kosovës nuk mund të formohet qeveria; Nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat e të gjithë deputetëve, shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës; Nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes nuk zgjidhet presidenti i Republikës së Kosovës dhe Kuvendi mund të shpërbëhet nga Presidenti i Republikës së Kosovës pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë. Ndërsa sa i takon votimit të mosbesimit të Qeverisë, neni 100 i Kushtetutës së Kosovës rregullon mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë mund të iniciohet me propozimin e një të tretës të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ose nëse kërkohet nga vetë Kryeministri.

Në këtë rast konsiderohet se mocioni i mosbesimit të Qeverisë është pranuar, nëse për të kanë votuar shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës (që i bie se duhet të votojnë pro minimumi 61 deputetë). Kurse nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet Qeveri në dorëheqje dhe në këtë rast aplikohet neni 82 në lidhje me nenin 66 të Kushtetutës së Kosovës dhe neni 4 paragrafi 4 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. E në këtë rast duhet të respektohen këto afate ligjore: 1. Zgjedhjet, përkatësisht data e zgjedhjeve përcaktohet jo më vonë se 10 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit. 2. Zgjedhjet nuk mund të mbahen më herët se 30 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit dhe 3. Zgjedhjet nuk mund të mbahen më vonë se 45 ditë nga dita e shpërndarjes së Kuvendit. Kurse sa i përket konsultimeve me partitë politike për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare hapi i parë që duhet të ndjekë presidenti i Kosovës, edhe pse për këtë rast ligji nuk përcakton afate kohore, por mund të interpretohet në përputhshmëri me nenin 4 paragrafi 3, ku thuhet: Sipas kompetencave të presidentit të përcaktuara me Kushtetutë, vendimi i Presidentit për të caktuar datën e zgjedhjeve bëhet jo më herët se 6 muaj dhe jo më vonë se 4 muaj para datës së zgjedhjeve. Kjo do të thotë se konsultimet mund të fillojnë në çdo kohë dhe të përfundojnë jo më vonë se 4 muaj para datës së zgjedhjeve pra në rastin konkret duhet të përfundojnë deri në shtator të vitit 2014, kur është afati i fundit për shpalljen e datës së zgjedhjeve parlamentare. Kurse hapi i dytë që ka të bëjë me caktimin e datës së zgjedhjeve është i lidhur me përfundimin e mandatit të Kuvendit ku ky mandat është katërvjeçar dhe fillon nga dita kurë mbahet seanca konstituive e Kuvendit të ri.

Pra zgjedhjet duhet të mbahen çdo 4 vjet në një ditë të diel. E me këtë rast duke marrë parasysh se seanca konstituive e Kuvendit aktual të Kosovës është mbajtur më 21 shkurt të vitit 2011, atëherë edhe mandati përfundon më 21 shkurt të vitit 2015. Duke pasur parasysh faktin se zgjedhjet nuk mund të mbahen më herët se 60 ditë dhe jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Kuvendit të Kosovës, atëherë ky fakt përcakton se data e mbajtjes së zgjedhjeve duhet të jetë në mes të 21 dhjetor 2014 dhe 18 janar 2015. Për më tepër pasi që të jetë përcaktuar se zgjedhjet duhet të mbahen ditën e diel, atëherë datat e mundshme të mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta mund të jenë 21 dhe 28 dhjetor 2014 ose 4, 11 ose 18 janar 2015.

Postuar nga Lajmonline: 10:03; 15/2/2014