Pro et contra “kryeministrit” Mustafa

Dardan Gërxhaliu

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, me vetëm një votë kundër, atë të kryetarit të nderit të LDK-së, Fatmir Sejdiu, Isa Mustafës iu dha besimi për të qenë kandidat për kryeministër të Republikës së Kosovës, pavarësisht se në zgjedhjet e fundit lokale Mustafa humbi garën për Prishtinën, një nga bastionet më të mëdha të kësaj partie. Këtë qëndrim të LDK-së, qytetarët e intervistuar nga gazeta “LAJM” e shohin në mënyra të ndryshme.

Viti 2014 në Kosovë është vit zgjedhor. Kjo ka bërë që apetiti për pushtet të rritet nga subjektet e ndryshme politike. Pavarësisht që akoma nuk dihet data se kur do të mbahen zgjedhjet, disa parti kanë filluar t’i paraqesin alternativat e tyre qeverisëse, këtë e ka bërë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, kandidat i kësaj partie për kryeministër është zgjedhur Isa Mustafa, pavarësisht se ai humbi garën për Prishtinën në zgjedhjet e fundit lokale duke shembur në këtë mënyrë një nga bastionet më të madhe të kësaj partie.

Zgjedhjet e përgjithshme që mbahen sivjet, LDK synon që përmes këtij veprimi të mobilizojë strukturat e saj. Qytetarët e intervistuar nga gazeta “LAJM”, këtë nominim e shohin në mënyra të ndryshme. Disa shprehen se humbja e tij në Prishtinë do të ndikojë për keq, por ka edhe të tjerë që mendojnë se humbja e tij shërben që Mustafa të fitojë vota të mjaftueshme që të udhëheqë me vendin. Mejreme Shema, profesoreshë në një shkollë të mesme në kryeqytet mendon se sa ishte kryetar i komunës Mustafa, ka bërë aq sa ka mundur, ndërsa rreth nominimit të tij për kryeministër, ajo mendon se kreu i LDK-së ka potencial për këtë pozitë. “Isa Mustafa kur ka qenë kryetar i Prishtinës, aq sa ka mundur, ka bërë, asnjeri nuk mundet t’i bëjë ato që i ka premtuar, sepse janë kushtet rrethanat tjera që ndikojnë me qenë se me vite me vite është shkatërruar, është vështirë tash me ndërtuar diçka me rregull, kurse sa i përket nominimit për kryeministër, mendoj se ka potencial, është profesor i universitetit, është njeri që nuk ka qenë i komprementum në asnjë format etj”, u shpreh ajo.

Ndërsa një qytetar tjetër Selam Ismajli për gazetën “LAJM” deklaroi se kandidimi i Mustafës është i arsyeshëm, mirëpo ka rezerva të mëdha rreth sjelljes së Mustafës siç i quan ai sjellje noshalante. “Ma merr mendja që bën për kryeministër, ma merr mendja që është e arsyeshme të kandidojë, sepse të gjitha cilësitë i ka, përgatitjen profesionale, megjithëse ka pasur çalime gjatë kohës kur ishte kryetar i Prishtinës, megjithëse shumë punë ka kryer edhe shumë tjera kanë mbetur pa u kryer. Humbja e Prishtinës si qendër me rëndësi ndikon jo pak po shumë, se sjellja e tij nuk ka qenë e rregullt, kanë qenë sjellje noshalante pak me njëfarë krye naltësie gjë që një udhëheqësi nuk i ka hije”, deklaroi Ismajli. Ka të tjerë qytetarë që mendojnë të kundërtën, sikurse Qazim Berisha, pensionist. Ai tha se kandidimi i Mustafës nuk është i drejtë, ai mendon se Fatmir Sejdiu është më i denjë. “Isa Mustafa nuk mundet as të vijë në rend, se s’është ma i miri, ma i mirë është Fatmir Sejdiu shumë herë. Isa nuk ka bo asgjë për këtë rreth as për Prishtinën asgjë hiq.

Në opinion qysh dihet Isa Mustafa nuk mundet të vijë në pushtet”, u shpreh ai. Sebahate Shaipi u shpreh se kandidimi i Mustafës është pozitiv, sa i përket humbjes së Prishtinës, ajo shprehet se kjo humbje mund të shërbejë pozitivist. Fjalë të mira për Isa Mustafën shpreh edhe qytetari tjetër Bajram Azemaj me profesion ekonomist, i cili tha se Isa Mustafa nëse merr mandatin për kryeministër, do të ketë sukses, sepse nuk është i korruptuar. “Humbja në Prishtinë nuk ndikon sepse Komuna është diçka tjetër e vendi diçka tjetër. Ma merr mendja se ka me pas sukses në qeveri, sepse është një ekonomist i vjetër me përvojë, nuk doket që është i korruptuar sipas medieve deri tash”, deklaroi Azemaj. Ndërkaq, Naim Fazliu me profesion kuzhinier, mendon se Mustafa do të ishte mirë po të bëhet kryeministër për të bërë ndryshimet e nevojshme që vendi të ecën në rrugën e drejtë. Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa do të kandidojë për kryeministër të ardhshëm të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme nacionale, që pritet të mbahen së shpejti në Kosovë. Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka vendosur që Isa Mustafa të kandidohet për kryeministër. Me këtë vendim nuk ka qenë i kënaqur ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, mirëpo ai ka konfirmuar se propozimi i Mustafës për kryeministër nuk do të bëjë që ai të braktisë partinë.

Postuar nga Lajmonline: 10:01; 15/2/2014