Mustafa: Me Thaçin asnjë bashkëpunim, ai del në opozitë

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në emisionin “Debat” të RTK-së ka deklaruar se nuk janë të mira përvojat e kaluara të partisë së tij nga bashkëpunimet me partitë tjera politike. Prandaj, deklaron se momentalisht nuk do ta cek asnjë subjekt politik me të cilin do të synojë udhëheqjen e vendit.

“Nuk kemi bindje se njerëzit ju përmbahen fjalëve dhe premtimeve. Megjithatë, me dikë duhet të qeverisim. Por, në zgjedhje futemi vet. Koalicionet i kemi pas zgjedhjeve. Atëherë do të bashkëpunojmë me subjektet politike me të cilat jemi të sigurt se do ta kemi një qeverisje të mirë të vendit, një shtet ligjor dhe zhvillim ekonomik”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk ka gjasa për bashkëpunim me PDK-në e kryeministrit Hashim Thaçin, për të cilin thotë se do të dalë në opozitë.

Mustafa thekson se partitë megjithatë duhet ta respektojnë njëra-tjetrën, të mos flasin fjalë të mëdha se ato fjalë të mëdha po prishin edhe ambientin familjar.

“Fjalët publike po depërtojnë në dhoma. Duhet të krijojmë edukatë në jetën politike, sepse ka pasë ofendime të rënda gjatë zgjedhjeve lokale që nuk janë në harmoni me kulturën tonë”, thotë ai. “Në qeverisjen e re do të jenë njerëz të rinj, që nuk kanë pasur asnjë problem me ligjin. Do të jenë figura të pastra që pa asnjë hipotekë do të zgjidhin sfidat e së ardhmes”.

Ndërkaq, Mustafa ka thënë se nëse në këtë kohë rrëzohet qeveria, do të rrëzoheshin edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Nuk është lavd nëse dikush ia arrin ta rrëzojë qeverinë në këtë kohë. Lavd është nëse krijojmë kushte të domosdoshme që zgjedhjet të jenë të mira”, ka thënë ai duke shtuar se partia e tij vlerëson se zgjedhjet do të duhej të mbaheshin më 8 qershor.

 

Isa Mustafa ka deklaruar kështu se nuk ka bashkërendim me mocionin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa sa i përket premtimeve të kreut të AAK-së Ramush Haradinaj se nëse bëhet kryeministër pagat do të bëhen njëmijë euro, Mustafa ka thënë se “nuk mund të flitet për paga pa një program”.

Postuar nga Lajmonline: 22:15; 14/2/2014