Llamkosi nxjerr barazim në Skenderaj

Derbi ndërmjet Drenicës dhe Llakmos Kosovës, i zhvilluar të martën në Skënderaj, përfundoi pa fitues (1:1), duke ua mundësuar të dy ekipeve të vazhdojnë me seritë e tyre pozitive.Ekipi vendas nën drejtimin e trajnerit Afrim Jashari nuk di për humbje në nëntë ndeshjet e fundit, ku ka regjistruar pesë fitore e katër barazime, kurse ai mysafir mbetet lider pas 14 xhirove të Raiffeisen Superligës, shkruan gazeta “Koha Ditore”

Me këtë pikë të fituar Drenica forcohet në pozitën e tretë me 22 pikë, kurse Llamkos Kosova ka mbledhur 28 pikë.

Skuadrës së Drenicës iu nevojitën 30 minuta për të kaluar në epërsi. Hysen Tahiraj gjuajti fuqishëm, kurse drejtimin e topit që përfundoi në rrjetë e ndërroi Arbër Prekazi (1:0).

Dominimi i Drenicës vazhdoi deri në gjysmën e pjesëlojës së dytë, më pas "frerët" në duar i mori skuadra e Llamkos Kosovës. Pas sulmeve të pareshtura të mysafirëve, erdhi barazimi i shumëkërkuar. Luhej minuta e 85-të kur Semir Zeneli shënoi nga afërsia në portën e zbrazët, pasi gjithë punën e kreu Bahri Kera që depërtoi në zonë nga krahu i djathtë dhe asistoi përtokë (1:1).

Postuar nga Lajmonline: 13:47; 06/11/2013