FFK-ja kërkon ndihmën e policisë për parandalimin e dhunës në stadiume

Ekseset e shpeshta në elitën e futbollit kosovar kanë detyruar drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës që të kërkojnë një përkrahje më të madhe nga policia për sigurimin dhe mbarëvajtjen e ndeshjeve. Për këtë qëllim, të enjten, nënkryetarët e FFK-së, Agim Ademi e Bekim Haxhiu bashkë me sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu, janë takuar me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni

Ky takim është realizuar në kuadër të përpjekjeve të FFK-së që bashkë me Policinë e Kosovës të ndërtohet një strategji për të forcuar sigurinë në ndeshjet e futbollit, veçmas pas disa incidenteve që ndodhën në terrenet e futbollit. Sipas një njoftimi të FFK-së, krerët e kësaj federate e njohën Maxhunin për vështirësitë e klubeve që të sigurojnë ndeshjet e futbollit dhe me mungesën e dukshme të pjesëtarëve të policisë në stadiume, pasi për momentin aktual kërkohet një numër më i madh i tyre. “Policia e Kosovës do të mund të ndihmonte edhe më shumë FFK-në në mbarëvajtjen e garave, sidomos në aspektin e sigurisë, kur kemi tendenca të shtimit të dhunës dhe huliganizmit në sport. Në këtë drejtim, krerët e FFK-së kanë kërkuar që të bëjnë bashkërenditjen e veprimeve, ndërmjet klubeve, organeve komunale që të përmirësohet gjendja e sigurisë si dhe të hartohet një strategji e parandalimit të dukurive negative në futbollin e Kosovës në mënyrë që garat të kenë rrjedhë normale”, thuhet në njoftimin e FFK-së. Ndërkaq drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni u ka premtuar zyrtarëve të FFK-së që Policia e Kosovës, përkundër angazhimeve të mëdha në sigurinë e shtetit, do të bëjë çmos që të shtojë kapacitet e sigurisë në ndeshjet e futbollit dhe do të ndihmojë FFK-në në kapërcimin e situatave të shfaqjes së dhunës, madje do të kërkohet edhe azhuriteti i Prokurorisë së shtetit, ndaj rasteve, kur kërkohet ndalimi i personave që shkaktojnë incidente dhe dhunë në futbollin e Kosovës. Po ashtu u arrit pajtueshmëria që të shtohet edhe numri i pjesëtarëve te policisë në ndeshjet e futbollit. Të dyja palët shprehën nevojën e miratimit të Ligjit kundër huliganizmit që do të ndihmonte në ndjekjen dhe dënimin e huliganëve kudo që ata mund të krijojnë situata që rrezikojnë mbarëvajtjen e ndeshjeve dhe të jetës së njerëzve.

Postuar nga Lajmonline: 10:46; 04/10/2013