Kosova e Shqipëria, një kalendar të përbashkët kulturor

Ministri i Kulturës së Republikës së Kosovës, Memli Krasniqi kërkoi nga institucionet shqiptare, “Të bashkohen në festimet e 6 vjetorit të pavarësisë së Kosovës”

Një hartë e përbashkët e trashëgimisë kulturore mes Kosovës dhe Shqipërisë është ajo çfarë ka premtuar ministrja jonë e kulturës, Mirela Kumbaro në një tryezë publike që ka pasur të enjten  në Tiranë me ministrin e kulturës të Kosovës, Memli Krasniqi.

“Në këtë tryezë për kulturën, besoj se unë dhe kolegu im Krasniqi nuk jemi aktorët më të rëndësishëm. I konceptoj, i mendoj, i ndiej si qarkullim të vlerave tona kulturore. Krijimi i itenerareve të përbashkëta do të bëhet jo me patetizëm patriotik por me ngjarje kulturore. Kultura është hapësira jonë e përbashkët. Askush nuk na i mbyll, askush nuk na i kufizon”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Ndërsa ministri i Kulturës së Kosovës, Memli Krasniqi kërkoi nga institucionet shqiptare, “Të bashkohen në festimet e 6 vjetorit të pavarësisë së Kosovës”.

“Është nder dhe privilegj i veçantë, që këtë do e shënojmë me hapjen më të natyrshme të bashkimit tonë kulturor. Unë jam një prej tyre në skenën kulturore që vajtje- ardhjet në Shqipëri i kam bërë që në vitet ‘90. Sot është koha t’i japim një kuptim tjetër, ta institucionalizojmë. Një takim që shënon etapë të re për kombin tonë”, tha ministri Krasniqi, i cili theksoi se diçka e tillë ka angazhimin edhe të dy kryeministrave, Hashim Thaçi dhe Edi Rama. Sipas tij diçka e tillë do të krijojë një skenë më të mirë artistike dhe fuqizim të artistëve.

Të pranishëm në këtë tryezë janë drejtuesit e të gjithë institucioneve kulturore të vendit.

 

Secili prej tyre do të prezantojë kalendarin e aktiviteteve kulturore sipas institucioneve që drejtojnë.

Postuar nga Lajmonline: 10:14; 14/2/2014