Kolec Topalli: Pse hartova një fjalor të ri etimologjik

Profesor Eqrem Çabej ka bërë studime të jashtëzakonshme për etimologjinë e gjuhës shqipe, por nuk mundi t’i plotësonte deri në fund, sepse ka ndërruar jetë prej 34 vjetësh(1908-1980). Hartimi i një fjalori etimologjik “që në të vërtetë i mungon gjuhës sonë do të ndriçonte shumë probleme të historisë së gjuhës shqipe dhe të fushave të tjera”, shprehet për “Shqiptarja.com” gjuhëtari i njohur Kolec Topalli. Pjesë nga kjo intervistë po i sjellim lexuesit

Thotë se autorët e vjetër e kanë ndihmuar shumë me fjalë të lashta të ruajtura. Ka gërmuar që nga Fjalori i F. Bardhit deri te fjalori i Gazullit, Pano Tases, Xhuvanit, Krisforidhit, etj. Dy nga vëllimet e këtij fjalori janë aprovuar për botim nga Instituti i Gjuhësisë. Po cilat janë risitë që sjell Kolec Topalli. Ai rrëfen si i ka zbuluar fjalët dhe cilat janë arsyet që kundërshton etimologët e njohur si Gustav Majerin, Franc Bopin, Vladimir Orelin, etj. Pse ka vendosur të vijojë veprën e papërfunduar të gjuhëtarit të shquar, të ndjerit Eqrem Çabej.

Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe është një vepër që ju po e punoni me pasion, cila është pikënisja?

Kolec Topalli: Pikënisja ime është shumë e hershme, kur kam filluar të studiojë dhe historinë e gjuhës shqipe. I dhënë kryesisht pas fonetikës historike dhe sidomos etimologjisë, jam detyruar të shikojë shumë nga etimologjitë e fjalëve që janë studiuar nga gjuhëtarët e tjerë në vitet e kaluara. Madje, jam detyruar edhe të bëj disa ndreqje të këtyre fjalëve për arsye se studimet në këto fusha që përmenda më dhanë dorë që të rindreq disa nga etimologjitë e tjera.

Dhe meqenëse unë tashmë kam botuar për Fonetikën dhe Morfologjinë më shumë se dhjetë libra, edhe ndreqjet tek këto etimologji janë të një sasie të konsiderueshme. Ja, të gjitha këto më krijuan idenë e mungesës së një fjalori etimologjik të plotë në gjuhën shqipe. Pasi botova dhe gramatikën historike të gjuhës shqipe, mendova që është e udhës që të fillojë hartimin e një fjalori etimologjik që në të vërtetë i mungon gjuhës sonë, një fjalor i cili do të ndriçonte edhe shumë probleme të historisë së gjuhës shqipe dhe të fushave të tjera.

 

Kur e filluat konkretisht punën për këtë vepër, sepse janë jo pak, por tre vëllime?

Kolec Topalli:E kam filluar para shumë vitesh, që kur jam marrë me gjuhësinë, por në mënyrë intensive jam marrë vetëm tre vjetët e fundit me këtë fushë. Para tri vjetësh unë hartova një projekt të cilin e paraqita në Institutin e Gjuhësisë dhe pastaj fillova punën. Në fillim pata droje, sepse pashë që ishte një sipërmarrje e vështirë, por dalëngadalë dhe me durim e fillova punën dhe sot i kam mbaruar tre vëllimet e kësaj pune. Dy janë miratuar në Këshillin Shkencor të Institutit të Gjuhësisë dhe po vijoj tani për vëllimin e fundit, me shpresë se në fillimin e këtij viti unë do ta mbaroj këtë fjalor. Më mbetet hartimi shkencor sidomos i indekseve, si dhe një korrigjim i plotë për të përfunduar botimin e tij në tre vëllime.

 

Çfarë rëndësie merr për profesor Kolec Topallin etimologjia?

Kolec Topalli: Duhet të dallojmë njëherë etimologjinë shkencore nga ajo që është etimologji popullore, sepse etimologjia është shkenca që dallon burimin e fjalës, origjinën nga kanë ardhur fjalët, nga i kemi marrë. Janë fjalë autoktone të trashëguara apo fjalë të huazuara dhe nëse janë të huazuara nga cilat gjuhë, nëpër cilat rrugë kanë hyrë ato, si janë zhvilluar në gjuhën shqipe më tej, ç’produkte kanë dhënë. Të gjitha këto do të ishin objekt i etimologjisë.

Është e vërtetë se edhe njerëzit e thjeshtë kanë dëshirë të merren ndonjëherë me etimologji, por duke mos pasur përgatitje shkencore japin ndonjëherë atë që ne e quajmë etimologji popullore, domethënë japin shpjegime jo të sakta, jo shkencore. Por për gjuhën shqipe ka pasur shpjegime të sakta në këtë fushë. Etimologjia ka qenë dega e parë e lëvruar për gjuhësinë shqiptare duke filluar ndoshta me Franc Bopin.

Ka qenë një kohë kur shkencëtarët në fushën e gjuhësisë krahasuese e gjetën me vend të bëjnë edhe krahasime të fjalëve të shqipes, duke i krahasuar me gjuhë të tjera, duke shpjeguar edhe vendin e shqipes në rrethin e gjuhëve indoevropiane, por edhe duke e spikatur si një gjuhë e vetme që s’ka lidhje me shoqet e tjera. Të gjitha këto të dhëna u bënë të mundura nga studimet etimologjike të shumë gjuhëtarëve në radhët e të cilëve mund të përmendin Gustav Bopin, Franc Majerin, Nobert Joklin, P.Kokun, si dhe Marko Lapjanën dhe Dhimitër Kamardën arbëreshë prej Sicilie. Por mbi të gjitha spikat figura e Eqrem Çabejit.

Postuar nga Lajmonline: 10:12; 14/2/2014