Rexhepi: Shoqëria civile, fajtore për mos-liberalizim

Është shoqëria civile ajo që po akuzohet se po ndikon fuqishëm për raportet negative, të cilat Kosovës i vijnë nga Brukseli.

Hydajet Hyseni akuzoi shoqërinë civile se po e ekzagjeron gjendjen në Kosovë për interesa të tyre, ndërkohë, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, shprehu besimin se pikërisht shkaku i ndikimit nga shoqëria civile, eurodeputetja Lunacek tha se nuk e kemi as afër liberalizimin, raporton KTV.

Por, këto akuza i hedh poshtë shoqëria civile. Avni Zogiani nga organizata “Çohu” thotë se shoqëria civile nuk i ka fajet pse në Ministrinë e Brendshme janë zhdukur 1.4 milion euro.

Petrit Zogaj, nga Lëvizja Fol, thotë se shoqëria civile sado e organizuar të jetë, nuk mund të ketë nivel të lartë ndikimi sa të prishë imazhin e Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, Kastriot Jahaj nga KIPRED-i thotë se vetëm në Rusi, me urdhër të Putinit, arrestohen pjesëtarë të shoqërisë civile. Ai ka thënë se raportet që bën KIPRED-i për Kosovën janë mirë të verifikuara dhe pak dallojnë nga ato që bëjnë Departamenti Amerikan i Shtetit dhe BE-ja.

 

Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se dallimi mes tyre dhe qeveritarëve është se ata mundohen që të mirëmenaxhojnë fondet që fitojnë nga jashtë, duke respektuar kontributet që i japin tatimpaguesit nëpër vende të ndryshme të botës, ndryshe nga qeveritarët që janë po ata që keqpërdorin paranë e shtetit që grumbullohet nga taksat e qytetarëve vendës.

Postuar nga Lajmonline: 20:55; 14/2/2014