Bujqësia, sektor fitimprurës

Përderisa papunësia konsiderohet problemi kryesor në ekonominë e Kosovës, bujqësia po shihet si sektori më fitimprurës në vend. Bujqit shprehen të kënaqur me të arriturat e tyre duke theksuar se përveç që sigurojnë ekzistencën për familjet e tyre, bujqësia po krijon edhe vende të reja pune

Përderisa papunësia konsiderohet problemi kryesor në ekonominë e Kosovës, bujqësia po shihet si sektori më fitimprurës në vend. Bujqit shprehen të kënaqur me të arriturat e tyre duke theksuar se përveç që sigurojnë ekzistencën për familjet e tyre, bujqësia po krijon edhe vende të reja pune.

Bujqësia, që për shumë vjet ishte lënë anash, tani ka filluar të shihet si sektori që po krijon vende të reja pune. Për Bashkim Bytyqin, ky sektor tani është primar sepse, përveç që po krijon të ardhura për familjen e tij, ai tani në fabrikën për konservimin e specave ka punësuar edhe disa punëtorë, raporton RTK.
“Kompania “Rizona” veprimtarinë e saj e ka filluar qe katër vite. Por, si familje kemi traditë 70 vjeçare, merremi me konservimin dhe rritjen e produktit të specit. Ndërkohë, së bashku me sukseset tona po e rrisim edhe numrin e punëtorëve dhe brenda këtij viti planifikojmë që t`i punësojmë rreth 50 punëtorë”, tha ai.
Ministria e Bujqësisë, në përputhje me Politikën e Përbashkët Bujqësore të BE-së, ka filluar që nga viti 2008 të ofrojë përkrahje të drejtpërdrejtë financiare përmes granteve investive dhe subvencioneve, e cila ka pasur rritje të ndjeshme nga viti në vit.
Zëdhënësi i kësaj ministrie, Adil Behramaj, i tha Radio Kosovës se përmes granteve investive, është arritur që çdo vit të krijohen vende të reja në bujqësi.
“Gjatë viteve 2008-2011 kemi krijuar 2 mijë e 175 vende të reja pune. Në vitin 2012 kemi krijuar 1 mijë e 863 vende të reja pune ndërsa këtë vit parashihet një rritje më e madh e punësimit me rreth 3 mijë e 34 vende duke marrë parasysh edhe rritjen e nivelit të granteve investive”, theksoi Behramaj.
Behramaj thotë se në procesin e vlerësimit, ekspertët janë bazuar vetëm në orar të plotë dhe bazuar në këto standarde, vlerësohet se një punëtor angazhohet në rreth 3.33 hektarë pemë të reja, në rreth 0.40 hektarë serrë të re ose në rreth 4 hektarë vreshta të rinj.
“Shprehur në vlerë monetare, investimet për angazhimin e një punëtori të ri arrijnë deri në 10 mijë euro, të cilat me grante investive, deri në vitin e kaluar janë mbështetur në shkallë prej 50 për qind nga Ministria e Bujqësisë”, tha Behramaj.
Sipas Behramajt, brenda vitit përmes subvencioneve mbështeten mbi 10 mijë vende ekzistuese të punës, dhe nëse kjo llogaritet për 6 vjet, nënkuptohet që Ministria e Bujqësisë ka mbështetur mbi 60 mijë vende ekzistuese të punës.

Postuar nga Lajmonline: 16:00; 05/8/2013