Funksionon Gjykata e EULEX-it në veri

Gjykata themelore e EULEX-it në Mitrovicë ka shqiptuar sot aktgjykimin dhe ka dënuar me burgim, tre nga gjashtë serbët të akuzuar për dhunë gjatë trazirave të marsit në vitit 2008. Marjan Ilinçiq (63-vjeçar) është dënuar me 20 muaj burgim, Dragan Milojeviq (27-vjeçar) me 18 muaj e Zoran Çaviq (47) me nëntë muaj burgim

Erëlehtë Popaj

Mitrovicë - Serbët në veri të Mitrovicës sot në orët e hershme të mëngjesit kanë aktivizuar alarmin duke ftuar qytetarët serbë që në numër sa më të madh të tubohen para gjykatës në veri, për të penguar seancën përfundimtare të procesit gjyqësor ndaj gjashtë serbëve që është paraparë të mbahet të enjten.
Serbët kanë bllokuar Gjykatën në pjesën veriore të Mitrovicës në të cilën duhet të shpallet aktgjykimi për gjashtë serbët të akuzuar për trazira të marsit në vitin 2008.

Forca të mëdha të EULEX-it të cilët kanë arritur në Gjyqin Themelor para orës shtatë, nuk kanë mundur të hynë brenda, sepse serbët e kishin bërë të pamundur këtë. Pas një qëndrimi të shkurtër, ata u larguan nga oborri i Gjyqit.

Në qytet janë dëgjuar sirenat për alarm, një, siç thonë mediet serbe, ftesë e veçantë për qytetarët e të dy dyert e Gjyqit janë bllokuar me mekanizëm të rëndë, me ekskavatorë dhe me shumë kamionë që janë trup e tërthorë rrugës. Qytetarët janë ende të tubuar e me ta është edhe i ashtuquajturi shef i Qarkut, Radenko Nedeljkoviq.

Marjan Ilinqiq, Zoran Çaviq, Dragan Milojeviq, Miodrag Raliq, Avni Krasniqi dhe Nebojsha Joviqi, akuzohen me 20 vepra penale gjatë trazirave të marsit në vitin 2008, kur gjykata në veri të Mitrovicës ishte sulmuar në mënyrë të kundërligjshme nga një numër i madh njerëzish duke shkaktuar vdekjen e një polici ndërkombëtar nga Ukraina. EULEX-i ka njoftuar se një trup gjykues i përbërë nga tre gjyqtarë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë i ka dënuar tre nga gjashtë personat që po gjykoheshin për sulm të kundërligjshëm në objektin e gjykatës në veri të Mitrovicës më 17 mars 2008.

I akuzuari Marijan Ilincic u shpall fajtor për disa nga pikat e akuzës dhe u dënua me një dënim të përgjithshëm prej një viti e dhjetë muaj burgim, i akuzuari Zoran Cavic u shpall fajtor për disa nga pikat e akuzës dhe u dënua me nëntë muaj burgim, i cili dënim do të zbatohet me kusht në kohëzgjatje prej një viti, i akuzuari Dragan Milojevic u shpall fajtor për disa nga pikat e akuzës dhe u dënua me një dënim të përgjithshëm prej një viti e gjashtë muaj burgim.

Ndërsa, të pandehurit Miodrag Ralic, Avni Krasniqi dhe Nebojsa Joviq u liruan nga të gjitha akuzat. EULEX- i ka mohuar se ata janë larguar nga Veriu të mërkurën në mbrëmje. Sipas tyre, lajmi se pjesëtar të EULEX-it që banojnë në veri janë larguar për në jug të Mitrovicës, nuk është i vërtetë.

“EULEX po vazhdon qëndrimin në atë pjesë, asnjë nuk është larguar”, ka thënë zëdhënësi I EULEX-it Blerim Krasniqi. Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Besim Hoti ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë incident, mirëpo situata vazhdon të jetë e tensionuar.

 

Postuar nga Lajmonline: 9:18; 29/3/2013