Ndryshon traseja e autostradës “Ibrahim Rugova”

Në segmentin e shtatë të autostradës “Ibrahim Rugova” ka pasur një ndryshim në projekt.

Ndryshimin e trasesë së autostradës në pjesën e Fushë Kosovës nuk kanë dashur ta sqarojnë zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës me arsyetimin se projektimi i këtij segmenti ende nuk ka përfunduar.

Drejtori i Drejtorisë së rrugëve Ramë Qypeva i ka thënë RTK-së se ky segment është ndryshuar për te ju shmangur kostos së lartë të ndërtimit të autostradës.

Por Ela Ruqi, zëdhënëse e kompanisë ndërtuese Bechtel& Enka, thotë se punimet në autostradë janë kryer sipas parimit projekto-puno, prandaj sipas saj ka mundësi që të ketë ndryshime.

Megjithë kritikat e analistëve të ekonomisë për këtë mënyrë ndërtimi, Ruqi thotë se “projekto-puno” ka rezultuar si projekt i suksesshëm i të ndërtuarit.

“Mendoj se ky është një model i suksesshëm i ndjekur në shumë vende të botës”, ka thënë ajo për televizionin publik.

Deri më tash janë punuar 60 kilometra të autostradës Vermicë-Merdare ndërsa kanë mbetur të kryhen edhe 20 të tjera. Për pjesën e ndërtuar qeveria e Kosovës ka paguar afro 600 milionë euro ndërsa sivjet ka ndarë nga buxheti i Kosovës edhe 220 milionë euro të tjera.

Postuar nga Lajmonline: 21:43; 14/4/2013